Çfarë është marketingu?
- Digit Al
- Apr 14, 2020
- 2 min read
Këdo që pyesim se çfarë kupton me marketing, pergjigja do te ishte "reklama", "publicitet", apo "shitje". Përgjigjia është e vërtetë vetëm në dy elementë të saj, sepse marketingu është më shumë sesa reklama apo shitje.
Nëse ne dëshirojmë të blejmë një produkt të caktuar, një veshje përshembull, edhe pse shumëllojshmëria e tyre është e pafund, një individ do të zgjidhte atë që i përshtatet stilit, materialit dhe buxhetit të tij. Pra, një kompani veshjesh nuk duhet vetëm të prodhojë veshje, por edhe të studiojë nevojat e individeve. Marketingu është më shumë se prodhim gjithashtu.
Eshtë produkti ai që plotëson nevojën tonë, por është marketingu ai që studion se cfarë produkti duhet të prodhohet për të plotësuar atë nevojë.
Për te përkufizuar marketingun duhet të dimë 8 hapat që duhet të ndjekë një kompani para se të nxjerrë një produkt në treg:
1. Hulumtimi i tregut
Mblidhni informacion se çfarë dëshirojnë konsumatorët tuaj, çfarë ka nevojë tregu etj. Ju nuk keni pse prodhoni një produkt që do të mbetet stok në magazinë pasi konsumatorët nuk e shohin domosdoshmërisht të nevojshme përdorimin e tij.
2. Përcaktimi i audiencës së synuar
Cilës audiencë i drejtohet produkti juaj? Përcaktoni pozicionin gjeografik, demografinë, sjelljen dhe stilin e jetesës së audiencës tuaj.
3. Identifikimi i konkurrencës
Tregohuni të vëmendshëm se Çfarë po bën konkurrenca juaj dhe si po ia del mbanë? Cilat janë ngjashmëritë dhe jo mes produkteve tuaja? Bëni një analizë SWOT të produktit tuaj dhe të konkurrentit.
4. Zhvillimi i markës tuaj
Përshkruani produktin tuaj. Çfarë i ofroni konsumatorit? Mall? Shërbim? Apo të dyja? Çfarë përfiton konsumatori? Si e ofroni produktin tuaj te ai?
5. Përcaktimi i strategjisë së shpërndarjes
Si keni menduar ta dërgoni produktin tuaj ne duart e konsumatorit? Sa do te jetë shtrirja gjeografike e shpërndarjes së produktit? Do bëni marketing direkt (derë më derë) apo online?
6. Përcaktimi i strategjisë së promovimit
Si do t'jua komunikoni blerësve ekzistencën e produktit tuaj? (radio, televizion, gazeta, billboard, email, sms, internet etj)
7. Zhvillimi i planit të buxhetit
Sa keni menduar të shpenzoni për marketingun e produktit tuaj?
8. Monitorimi dhe vlerësimi
A po arrini rezultatet e duhura nga marketingu i produktit tuaj? Sa janë shitjet? Sa keni shpenzuar? Po hyjnë konkurrentë të tjerë në treg? Cfarë duhet të bëni për të diferencuar produktin tuaj?
Marketingu duhet të krijojë një vlerë apo dobi për konsumatorët dhe si e tillë paraqitet në 4 lloje:
Dobia e formës: Një prodhues krijon një produkt duke u nisur nga një material tjetër. Është pak a shumë si ligji i transformimit të energjisë. Përshembull, nga një copë e caktuar mund të prodhosh xhinse, por edhe këmisha etj.
Dobia e kohës: Një produkt duhet të shkojë te klienti kur ai e kërkon atë. Rrobat e verës nuk kanë interes për klientin të blihen në dimër.
Dobia e vendit: Produkti duhet të jetë në vendin ku e kërkon klienti dhe jo rastësisht të jetë diku tjetër. Nëse shkon në nja pazar ushqimor, dhe një dyqan shet rroba aty, nuk do të ishte I madh impakti i blerjes se rrobave në atë vend.
Dobia e zotërimit: Pasi klienti paguan për produktin, ai bëhet pronar i tij dhe ka të drejtë ta përdorë produktin ashtu si dëshiron ai.
Pra, marketingu në terësi është një proces që përfshin një sërë aktivitetesh si hulumtimin, promovimin, shitjen dhe shpërndarjen e produkteve tuaja.
コメント